Vazhdon përplasja Mbappe-PSG

Kylian Mbappe vijon betejën ligjore me Paris Saint-Germain për shumat e mbetura nga kontrata e tij e mëparshme, pasi Gjykata e Punës në Paris ka vendosur që klubi parizien duhet t’i paguajë atij gjithsej 60.9 milionë euro.

Sipas “L’Équipe”, avokatët e sulmuesit francez kanë dërguar sot një përmbarues gjyqësor në zyrat e PSG-së, i cili ka dorëzuar zyrtarisht një urdhër pagese për shumën që ende mbetet e papaguar.

Bëhet fjalë për rreth 5.9 milionë euro, të lidhura me pushimet e paguara dhe interesat përkatëse. Deri tani, PSG thuhet se ka shlyer rreth 55 milionë euro, ndërsa kjo pjesë e fundit vazhdon të mbetet pezull.

Sipas mediave franceze, klubi ka një afat prej tetë ditësh për të kryer pagesën, përndryshe përfaqësuesit ligjorë të Mbappés mund të kërkojnë sekuestrimin e shumës përkatëse nga llogaritë bankare të PSG-së. Në vendimin e saj, Gjykata e Punës ka përcaktuar pagën bruto referuese të lojtarit në 11.8 milionë euro. Ndërkohë, L’Équipe citon edhe reagimin zyrtar të klubit parizien.

“Siç kemi deklaruar gjithmonë, PSG do të zbatojë vendimin e Gjykatës së Punës. Klubi ka vepruar në mirëbesim dhe me integritet dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. Paris Saint-Germain ka paguar plotësisht të gjitha pagat dhe bonuset që i detyrohen Kylian Mbappés. Aktualisht po zhvillohen diskutime me përfaqësuesit e lojtarit për mënyrën e pagesës së shumave të mbetura,” citojnë burime pranë klubit.

Çështja mbetet ende e hapur, ndërsa ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për mbylljen përfundimtare të këtij kapitulli mes Mbappés dhe PSG-së.