Ylber Ramadani, mesfushori i Kombëtares shqiptare, ka parë sot Leçen të sigurojë një fitore të rëndë me shifrat 2-1 ndaj Udinezes, për t’u larguar pak nga zona e ftohtë e klasifikimit në Serinë A.
Mesfushori kishte theksuar në ditët para ndeshjes se kjo ishte një mundësi e mirë që ekipi të kthehej në lojë për të siguruar qetësinë dhe Leçe ia doli, edhe pse me një gol në minuat e fundit, duke triumfuar 2-1.
“Jam i sinqertë, nuk e meritojmë këtë pozicion në klasifikim. Para ndeshjes kam thënë që kjo ishte një mundësi e madhe, është një fitore e cila na jep vazhdimësi dhe besim për ndeshjet e ardhshme”, tha Ramadani për “DAZN”.
“Kontrolluam ndeshjen? Po, ishte vetëm rasti i penalltisë në pjesën e parë. Pastaj topin e kishim gjithmonë ne. Dua të falënderoj tifozët tanë, na japin gjithmonë shumë. Le të vazhdojmë kështu, mbeten edhe 14 ndeshje për të arritur objektivin tonë”, ishin fjalët e mesfushorit shqiptar që është kthyer në këto vite në një nga pikat kyçe të Leçes në Serinë A.

