RB Leipzig ka njoftuar zyrtarisht huazimin e sulmuesit të Brightonit, Brajan Gruda, duke shënuar rikthimin e talentit me prejardhje shqiptare në Bundesligë. Futbollisti 21-vjeçar do të mbajë fanellën me numrin 10 te klubi sakson, një tregues i qartë i besimit që Leipzig ka ndaj potencialit të tij. Gruda rikthehet në kampionatin gjerman, aty ku kishte shkëlqyer më herët me Mainzin, para se të transferohej te Brighton në verën e vitit 2024.
Leipzig kishte kohë që e ndiqte nga afër zhvillimin e tij, fakt që u konfirmua edhe nga drejtori menaxhues i klubit, Marcel Schäfer. “Kur u shfaq mundësia për ta huazuar Brajan tani, ne u entuziazmuam menjëherë. E kemi pasur në radarin tonë prej disa vitesh dhe do të kishim dashur ta sillnim në Leipzig që në vitin 2024. Kontakti me të nuk u ndërpre kurrë dhe tani jemi shumë të lumtur, edhe pse fillimisht bëhet fjalë për një huazim. E shohim Brajan duke luajtur në pozicionet e numrit tetë dhe dhjetë, ku do të na japë më shumë alternativa”, u shpreh Schäfer.
Gruda u transferua te Brighton me një shumë mbi 31 milionë euro, duke thyer rekordin e shitjeve të Mainz-it. Megjithatë, nën drejtimin e trajnerit Fabian Hürzeler, ai nuk arriti të siguronte një vend të qëndrueshëm në formacionin titullar. Vetë lojtari shprehu kënaqësinë e tij për kalimin te Leipzig, duke theksuar se stili i lojës i klubit i përshtatet në mënyrë perfekte dhe se synimi i tij është ta ndihmojë skuadrën të rikthehet në arenën evropiane. Në 20 paraqitje me Brightonin këtë sezon, Gruda ka realizuar tre gola dhe ka dhuruar tri asistime.
sfidanti.al

