Maignan rinovon me Milanin

Milani ka marrë një lajm shumë të mirë për të ardhmen, pasi portieri titullar Mike Maignan ka nënshkruar një kontratë të re afatgjatë me klubin kuqezi.

Marrëveshja e re është e vlefshme për katër vitet e ardhshme, me opsion rinovimi edhe për një vit shtesë, duke e mbajtur francezin në “San Siro” deri në vitin 2031.

Ky rinovim vjen në një moment kyç për Milanin, pasi kontrata e mëparshme e Maignan do të skadonte në qershor të vitit 2026, çka kishte hapur spekulime për interesim nga klube të mëdha evropiane. Me këtë marrëveshje, drejtuesit e klubit kanë siguruar vazhdimësinë e një prej shtyllave kryesore të skuadrës.

Që nga ardhja e tij te Milani, Maignan është shndërruar në një nga portierët më të mirë në Serie A dhe në Evropë, duke pasur rol vendimtar në sukseset e ekipit, përfshirë edhe fitimin e titullit kampion.

sfidanti.al