Para nisjes së fazës së dytë të kampionatit, Besëlidhja ka zyrtarizuar tre afrime. Lezhjanët me ambicie për ngjitjen në Kategorinë e Parë kanë rritur kështu konkurrencën në skuadër.
Nën urdhërat e trajnerit Elvis Plori do të jenë tashmë dhe dy lojtarë të huaj, kamerunasi 24-vjeçar Severin Rodrigue Onana, si dhe Kelvin Oduro, 19-vjeçari i rritur në Itali. Po ashtu, me Besëlidhjen ka firmosur edhe sulmuesi 17-vjeçar Flavio Fushaj, që vjen nga akademia e Vllaznisë.
Përveç skuadrës aktuale, që ka lojtarë me shumë eksperiencë, drejtuesit lezhjanë duket se po mendojnë edhe për të ardhmen, duke parë moshën e re të afrimeve të fundit. Besëlidhja udhëheq grupin e saj në Kategorinë e Dytë dhe synon të sigurojë sa më parë ngjitjen një kategori më lart, duke u shkëputur nga rivalët. Fazën e dytë të kampionatit lezhjanët e fillojnë në fushën e tyre, ku do të presin Basanian.
sfidanti.al

