Pak javë më parë, Valteri Botas mori urdhër nga drejtuesit e skuadrës së tij të Mercedesit që të lejonte Ljuis Hamiltonin që të kalonte pa bërë shumë rezistencë, ndërsa e pengoi sa mundi Sebastian Fetelin e Ferrarit. Në Çmimin e Madh të Montekarlos (apo Monako për anglishtfolësit dhe të tjerët), skuadra italiane duket se luajti pak më ndryshe, por me përfundim të njëjtë.
Kimi Raikonen, që ishte në krye të garës, u urdhërua të bënte një ndalesë dhe të ndërronte gomat, kur nuk ishte aq e nevojshme. Finlandezi hyri dhe pasi u kthye në garë, e pa veten prapa makinave më të ngadalshme të cilat nuk mund t’i parakalonte lehtë në rrugët e ngushta të qytetit-Principatë.
Fetel përfitoi nga kjo, bëri disa xhiro të shpejta, dhe kur erdhi koha për të ndërruar gomat pati aq shumë avantazh sa të kthehej në kryesim. “Ne nuk dhamë urdhra skuadre”, – u mbrojtën drejtuesit e Ferrarit, por ajo që ndodhi ishte shumë e dyshimtë dhe vetë pamja e mërzitur e Raikonenit në podium foli vetë.
Piloti i “kokëkuqes” mund ta fitojë titullin këtë vit, dhe me plot të drejtë. Ferrari ka një makinë shumë të mirë dhe Fetel po piloton shkëlqyeshëm, por qoftë italianët, qoftë Mercedesi, e kanë dëmtuar shumë imazhin e demokracisë në Formula 1. Ferrari e ka bërë thuajse gjithnjë këtë gjë, por skuadra si Meklareni apo Uilliamsi në shumicën e rasteve i kanë lënë pilotët të ndeshen. Të famshëm janë shembujt e Senës dhe Prostit apo të Hamiltonit dhe Alonsos.
Drejtuesit e rinj të Formula 1 duhet të marrin masa për të dënuar urdhërat e skuadrave apo manovrat për të favorizuar një pilot ndaj tjetrit, dhe nëse kjo bëhet barabar për të gjithë, shanse për titull nuk ndryshojnë. Aktualisht, Fetel ka 129 pikë pas 6 garave të para të sezonit, ndaj 104 të Hamiltonit, ndërsa Botas e Raikonen luftojnë për vendin e tretë (përkatësisht 75 e 67 pikë).
Sfidanti.al