E quanin “I bukuri”, por Dymulin fitoi në Xhiro nofkën “Kampioni”

Tom Dymulin është fituesi i papritur i Xhiros së Italisë. Falë një formule të ndryshme nga kohët e mëparshme, çiklisti holandez shfrytëzoi etapën e fundit, një kronometër individuale, për të kapërcyer në renditje kolumbianin Nairo Kintana dhe për të triumfuar në garën e dytë më të rëndësishme të botës. Dymulin ishte i shkëlqyer në 29.3 km të kronometruara, dhe ndonëse e nisi etapën 53 sekonda pas Kintanës, e përfundoi 31 sekonda përpara tij. Në vend të tretë dhe të katërt dolën pretendentët e tjerë, Vinçenco Nibali dhe Tibo Pino.

“Një çmenduri e vërtetë”, – tha Dymulin pas përfundimit, duke u bërë holandezi i parë në histori që fiton Xhiron e Italisë, dhe i pari që fiton një turne të madh që nga Jop Zotemelt që fitoi Turin e Francës në 1980. “Unë mendoja se mund të fitoja ndonjë etapë, por jo se mund të arrija deri këtu, – vazhdoi ai, – për fat i pata këmbët e forta për t’ia dalë”. Dymulin njihet me nofkën “I bukuri” (Il Bello, në italisht), por tani do të njihet më shumë si një kampion. Kintana kishte ardhur në Itali për të plotësuar fitoren-dyshe, Xhiro-Tur, por tani i mbetet ta provojë fatin në Francë.

Sfidanti.al