Slot: Katër humbje radhazi janë alarm

Liverpool-i po kalon një periudhë të vështirë. Humbja 1-2 ndaj Manchester United në “Anfield” nuk ishte thjesht një dështim tjetër, por i katërti radhazi për kampionët në fuqi të Anglisë, duke ndezur alarmin mes tifozëve dhe brenda skuadrës. Trajneri Arne Slot, pas ndeshjes, pranoi se situata është shqetësuese, por theksoi se problemi kryesor nuk qëndron tek mungesa e lojës, por tek mungesa e konkretizimit. “Mendoj se njerëzit harrojnë sa shumë raste patëm edhe kur ishim në disavantazh në pjesën e parë. Isak pati një mundësi të artë përballë portierit, Gakpo goditi dy herë shtyllën… kishim shanse të qarta për të barazuar rezultatin”, tha Slot.

Në analizën e tij, trajneri holandez shtoi se ekipi po krijon mjaftueshëm për të fituar ndeshjet, por nuk po tregohet efikas. “Kur kundërshtarët lodhen, ne prodhojmë më shumë raste. Kjo ndodhi kundër Crystal Palace, kundër Chelsea-t dhe tani përsëri me United. Por duhet të shfrytëzojmë më mirë ato që krijojmë”, theksoi ai. Slot pranoi se katër humbje radhazi janë një sinjal që nuk mund të neglizhohet: “Sigurisht që është shqetësuese. Çdo trajner do të ndiente një peshë pas katër disfatave. Por nëse vazhdojmë të luajmë me këtë frymë dhe me këtë nivel krijimtarie, fitoret do të rikthehen.” Sa i përket rrugës për t’u rikthyer te rezultatet pozitive, tekniku i “reds” mbetet optimist: “Duhet të përmirësojmë disa aspekte në finalizim. Nuk mund të jesh kurrë i sigurt se do të krijosh nëntë apo dhjetë raste për çdo ndeshje, por kemi lojtarë që luftojnë deri në fund dhe që nuk dorëzohen lehtë. Kjo më jep besim për ndeshjet që vijnë.”

Sfidanti.al