SHBA po shfaqet si një qendër globale e sportit, duke kombinuar evente të mëdha ndërkombëtare, investime infrastrukturore dhe strategji teknologjike të avancuara. Viti 2026 do të jetë kyç: Kupa e Botës në futboll, më e madhja në histori me 48 ekipe, do të hapë dyert për një ekspozim botëror të paprecedent.
Kjo është e dukshme edhe nga mënyra se si Gianni Infantino, president i FIFA-s, është ekspozuar ndaj “propagandës” së Donald Trump, duke i dhënë presidentit amerikan Çmimin e parë FIFA për Paqen në histori.
SHBA protagoniste e sportit global: nga Botërori 2026 te Olimpiada 2028
Strategjia amerikane bazohet në tre shtylla: tërheqja e eventeve ndërkombëtare, zhvillimi i infrastrukturave të avancuara e përdorimi i teknologjisë për të rritur angazhimin e tifozëve.
FIFA ka zhvendosur një pjesë të operacioneve në Miami, ndërsa MLS ka sjellë yje si Lionel Messi dhe Luis Suárez te Inter Miami. NFL dhe NBA vazhdojnë zgjerimin global, duke tërhequr spektatorë ndërkombëtarë dhe duke rritur turizmin sportiv.
Ndërprerjet e lojës për shkak të motit shndërrohen në mundësi marketingu dixhital, me QR code, lotari dhe përmbajtje ekskluzive për tifozët. Investimet ndjekin një logjikë të ngjashme me Kinën në vitin 2008: identifikim sportesh me potencial të lartë, mbështetje infrastrukturore dhe tërheqje sponsorësh globalë.
Paralelisht, SHBA synon të forcojë kulturën futbollistike falë ndikimit latin dhe ardhjes së kampionëve të nivelit botëror. Qëllimi është krijimi i një ekosistemi sportiv të integruar ku futbolli, basketbolli, futbolli amerikan dhe sporte të tjera bashkëjetojnë dhe vendosin standarde të reja organizative dhe teknologjike. Epoka e sportit amerikan si protagonist global sapo ka filluar.

