Mes të ndaluarve janë edhe prezantues televizivë, gazetarë, këngëtarë dhe aktorë. Ata akuzohen për prodhim dhe trafik droge.
Presidenti i Fenerbahçes, një nga klubet kryesore në Turqi, Sadettin Saran, është arrestuar në Stamboll në kuadrin e një hetimi antidrogë, që ka përfshirë personazhe të spektaklit dhe medias. “Trt” bën me dije se Saran, qytetar turk dhe amerikan, është arrestuar, pasi analizat kanë zbuluar praninë e substancave të drogës në kampionët e flokëve të tij.
Saran ka dhënë një deklaratë, nëpërmjet së cilës hedh poshtë rezultatin e testeve. Ai ka këmbëngulur në faktin se nuk ka përdorur kurrë drogë dhe do të kërkojë teste të tjera. Javën e kaluar Saran u thirr për të dëshmuar në gjykatë dhe u dërgua në një laborator, ku iu morën kampionë flokësh dhe gjaku.
Hetimi po bëhet nga prokuroria e përgjithshme e Stambollit. Nga fillimi i dhjetorit janë arrestuar dhjetëra persona të akuzuar për prodhim dhe trafik droge. Mes të ndaluarve janë prezantues televizivë, gazetarë, këngëtarë, aktorë dhe personalitete të rrjeteve sociale. Ata akuzohen për trafik droge dhe favorizim të prostitucionit. Shumë prej tyre kanë bërë analiza gjaku dhe flokësh për të verifikuar përdorimin e drogës.
Sadettin Saran, i lindur në Denver, u zgjodh president i Fenerbahçes në shtator. Klubi ka bërë një deklaratë në mbështetje të presidentit, ku siguron tifozët se aktiviteti i skuadrës do të vazhdojë pa probleme.
Fenerbahçe, me seli në Stamboll, është një nga klubet sportive më popullore të Turqisë. Ish-presidenti Aziz Yildirim bëri më shumë se një vit burg në 2012-ën me akuzën e trukimit të ndeshjeve. Më pas u lirua, pasi një proces i ri qartësoi se vendimi i mëparshëm ishte ndikuar nga gjykatës, ministra dhe agjentë policie të korruptuar.
Skuadra është përfshirë edhe në një tjetër hetim për baste të paligjshme dhe ndeshje të truktuara në futbollin turk.

