Interi sheh drejt së ardhmes. Drejtusit zikaltër po përgatiten për goditjet e verës, duke ditur faktin që në dimër kanë pak mundësi për të manovruar. Objektivi është për të ndërhyrë në mesfushë, me fokusin te krahu i djathtë dhe qendra. Emrat më të lakuar janë Marco Palestra dhe Ederson, të dy në pronësi të Atalantës, që verën e kaluar rezistoi deri në fund ndaj përpjekjeve të Interit për të marrë sulmuesin Ademola Lookman. Strategjia e bergamaskëve është që në çdo sesion të merkatos të shesin vetëm një big dhe ikja e papritur e Retegui drejt Arabisë Saudite pengoi Interin në atë rast.
Marco Palestra, që luan për Cagliari aktualisht, është zbulimi i sezonit deri tani. I fortë fizkisht dhe luan më të dyja këmbët. Ai është identikiti ideal për 3-5-2 që aplikon trajneri Chivu. Dumfries nuk jep më garanci dhe Luis Henrique nuk po jep sinjalet e një lojtari premtues. Kur Palestra të kthehet nga huazimi, Interi do të hidhet në sulm për ta marrë nga Atalanta. I njëjti diskutim vlen edhe për Ederson, që në qershor mund të jetë një nga lojtarët big “të sakrifikuar” të Atalantës për të investuar më pas në merkaton në hyrje. Kontrata e brazilianit skadon në 2027-ën, por mund ta mbyllë më shpejt aventurën në Bergamo, duke kaluar tek Interi. Një mesfushor i fortë dhe që përshtatet në disa role mund të jetë shumë i vlefshëm për Chivu. Në të dy rastet goditjet llogariten për qershorin, me shpresën që Botërori amerikan të mos i ndryshojë kartat mbi tavolinë.
sfidanti.al

