Luis Enrique zgjidhet trajneri më i mirë në botë për 2025-ën

Trajneri spanjoll është vlerësuar për atë çfarë ka arritur me PSG-në gjatë vitit që po mbyllet. Në 10-shen e parë edhe emra si Flick, Maresca, Conte e Inzaghi. Luis Enrique është trajneri më i mirë në botë për vitin 2025, sipas IFFHS (Federata Ndërkombëtare e Historisë së Futbollit dhe Statistikave). Në klasifikimin vjetor të trajnerëve më të mirë, ky organizëm ka përzgjedhur spanjollin dhe kjo ishte e pritshme për shkak të trofeve që ai ka fituar në krye të parisienëve. Për Luis Enrique është hera e dytë që e fiton këtë çmim, herën e parë u zgjidh në vitin 2015, kur drejtonte Barcelonën dhe fitoi tripletën me katalanasit. Në klasifikimin e këtij viti ai ka fituar 222 pikë dhe ka “rrëzuar” nga froni Carlo Ancelotti, fituesin e 2024-ës.

Gjatë këtij viti trajneri i PSG-së ka fituar Champions League, Superkupën UEFA, Kupën Interkontinentale FIFA, kampionatin francez, Kupën e Francës dhe Superkupën e Francës. Në vend të dytë ka dalë trajneri italian i Chelsea, Enzo Maresca, i cili ka marrë 60 pikë, falë fitimit të Botërorit të Klubeve dhe Conference League. Në vend të 3-të është Hansi Flick, kampion i Spanjës me Barcelonën dhe fitues i Kupës së Mbretit. Në 10-she janë edhe dy italianë të tjerë, Antonio Conte dhe Simone Inzaghi, në vend të 6-të dhe të 7-të. Në vend të 4-t dhe të 5-të janë Vincent Kompany i Bayern dhe Mikel Arteta i Arsenal. Vendi i 8-të për Xabi Alonso, që tani drejton Real Madrid. Mbyllin renditjen Abel Ferreira i Palmeiras dhe Jurcic i egjiptianëve të Pyramides.

sfidanti.al