Federata Shqiptare e Volejbollit njofton zyrtarisht rikthimin e ekipeve kombëtare ( Senior M+F ) në kompeticionet europiane, duke shënuar një hap të rëndësishëm të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Bordi Drejtues i FSHV-së në takimin e tij të fundit vendosi që ekipet kombëtare të jenë pjesëmarrëse në Europe League 2026.
Presidenti i FSHV, z. Erlind Pëllumbi, u shpreh:
“Rikthimi në arenën europiane i përfaqësueseve tona Senior M+F është një moment kyç për volejbollin shqiptar. Pjesëmarrja në Europë përfaqëson jo vetëm një sfidë sportive, por edhe një mundësi konkrete për rritjen e nivelit të lojtarëve tanë, forcimin e strukturave të përfaqësueseve dhe rikthimin e besimit të publikut. Ne jemi të përkushtuar maksimalisht për të garantuar kushtet më të mira të përgatitjes, staf profesional dhe një përfaqësim dinjitoz të Shqipërisë në Europë.”
Federata Shqiptare e Volejbollit mbetet e vendosur në misionin e saj për zhvillimin e vazhdueshëm të këtij sporti dhe për rritjen e përfaqësimit ndërkombëtar të Shqipërisë.

