Letra e Murinjos për bordin: Dua 350 milionë euro për dëshirat e mia

Dëshirat e tij janë ato që Mançester Junajtid të përforcohet dhe të jetë në nivelin e Realit të Madridit, Barcelonës apo Bajernit. Zhoze Murinjo e deklaroi që pas përfundimit të finales së Ligës së Europës se bordi drejtues i klubit ka në tryezë letrën me rekomandimet e tij për sezonin e ardhshëm. Mediat britanike “rrëmuan” ethshëm dhe zbuluan se bëhet fjalë për disa emra të mëdhenj, ndonëse një pjesë e tyre dihej që më parë se synoheshin nga portugezi.

Antuan Grizman, Andrea Beloti, Romelu Lukaku dhe Majkëll Kin janë katër futbollistët e pikëtuar, ndonëse përsa i përket sulmit mund të vijnë vetëm dy, dhe jo tre. Të gjithë këta kushtojnë 300 milionë paund stërlina apo rreth 350 milionë euro, sipas llogarive të “Deili Meilit”. Grizman ka qenë gjithnjë dëshira e Murinjos, dhe sulmuesi francez i Atletikos së Madridit ka klauzolë transferimi prej 100 milionë eurosh.

Po këtë klauzolë, 100 milionë euro, ka edhe Andrea Beloti i Torinos, ndërsa Lukaku që luan në Angli për Evertonin, siç është e pritshme do të kushtonte edhe më shumë, 115 milionë euro. Së fundi, Kin, ish-mbrojtës i Junajtidit, duhet kthyer në shtëpi me koston 30 milionë stërlina. Mund të ndodhë që të vijnë dy sulmues dhe jo tre, pra Grizman dhe Lukaku, ose Grizman dhe Beloti. Grizman shënoi 16 gola dhe dha 8 asistë këtë sezon, Beloti pati 25 gola dhe 5 asistë, ndërsa Lukaku 25 gola dhe 6 asistë.

Nga skuadra besohet se do të largohen yjet Uejn Runi dhe Zllatan Ibrahimoviç, i pari për shkak të moshës dhe rënies së formës, dhe i dyti sidomos për shkak të dëmtimit të rëndë.

Sfidanti.al