FIFA ka pranuar rekursin e Portugalisë dhe ka falur Cristiano Ronaldo. Skualifikimi i tij tashmë është vetëm një ndeshje dhe tashmë ai e ka shlyer atë. Kristiano Ronaldo do të jetë në dispozicion të stafit teknik të Portugalisë për ndeshjen e parë të fazës finale të Botërorit 2026. Ai u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen kundër Irlandës. Komiteti disiplinor i FIFA-s ka vendosur që skualifikimi i Ronaldos të jetë minimal, me vetëm një ndeshje, që 40-vjeçari e ka shlyer me mungesën e 16 nëntorit ndaj Armenisë.
Këtij dënimi i shtohen edhe dy ndeshje të tjera pezullim, por ato janë pezull aktualisht dhe bëhen aktive vetëm në rast se portugezi bëhet sërish protagonist i incidenteve të tjera disiplinore. Më 13 nëntor Ronaldo u ndëshkua direkt me karton të kuq kundër Irlandës në Dublin. Fillimisht arbitri suedez Nyberg e ndëshkoi me të verdhë për një kontakt me O’Shea. Kartoni u bë i kuq pasi u panë pamjet në VAR dhe u konstatua se gjesti ishte i dhunshëm. Vendimi i Komitetit disiplinor të FIFA-s duket si një falje, po të kemi parasysh normat e ashpra ndërkombëtare. Rregullorja parashikon sanksione shumë më të rënda për raste të tilla.
sfidanti.al

