Trajneri i Torinos shpjegon mosaktivizimin e Asllanit

Në tri javët e fundit në Serie A, Kristjan Asllani është preferuar pak nga trajneri i Torinos, Marko Baroni. Në tri takime ai luajti në total 74 minuta, ndërsa në këtë sezon në fushë ka qenë për 567 minuta. Kundër Pisës u la në stol, një javë më parë ndaj Bolonjës u fut në minutën e 79 dhe zëvendësoi Iliç, kurse me Xhenoan në shtëpi e nisi titullar deri në minutën e 60. Forma e futbollistit kuqezi po ndiqet me vëmendje edhe nga trajneri Silvinjo, i cili e ka titullar të padiskutueshëm Asllanin në dy takimet e fundit të kualifikueseve të Botërorit që po afrojnë. Por trajneri i granatave, Baroni, tha se ai i ka dhënë hapësirë mesfushorit kuqezi.

“Nuk e përdor sistemin e hierarkive, është një formë respekti ndaj të gjithë lojtarëve. Atë që shikoj më mirë, ai luan. Iliç ka bërë dy ndeshje të mira, ashtu si edhe Asllani që është i fortë dhe e kemi dashur. Ai erdhi këtu pasi kishte tre vjet pa bërë ndeshje rresht, ndërsa tani ka luajtur 10 ndeshje në më pak se dy muaj. Për mua, ata duhet të bëhen të gjithë titullarë, pasi nuk mbërrin në fund të sezoneve vetëm me 12 futbollistë”, tha Marco Baroni, trajneri i Torinos. Në Serie A, Asllani ka luajtur në tetë takime, ndërsa nuk ka shënuar asnjë gol.

sfidanti.al