Funeral-futbolli, epilogu që e meritojmë: Tirana apo Vllaznia?

Do të humbasim Tiranën apo Vllazninë? Kjo është çështja turpit që nuk matet, ajo për të cilën nësë Superliga do të kishte pakëz moral, në këto momente, mund të pranohej, se historia e futbollit po përgatitet të marrë thikën mu në zemër. Dy ekipet që kanë mbushur thesin me fajësi teknike, dhe jo më pak edhe morale gjatë sezonit, do të shtynë njëra –tjetrën drejt “humnerës” edhe për meritë të një djallezie zyrtare që i ka keqpërdorur të dyja. Kujtoni  aktrimet e paskrupullta të Vllaznisë dhe Tiranës, kur festuan “Shën Valentinin e zi” përkatësisht  me Skënderbeun dhe Kukësin. Dy klubet, që as nuk u skuqën fare, madje ndryshuan kursin e historisë, duke u parkuar në semaforin famëkeq, atje ku të shkelin syrin shefat, në kundërshtim të plotë me atë çka pretendonin tifozët besnikë te futbollit.

Vllaznia apo Tirana? Mjafton kjo pyetje për të kuptuar se futbolli është katandisur në pikë të hallit, dhe fatalisht, ato që goditen më lehtë janë klubet e lavdisë. A kemi pak turp apo mirenjohje, kur me duart tona  po bëjmë  “funeralin’ e atdheut të lojës, Shkodrës, dhe ekipit që thuhej se ishte “guru” për karakterin, Tiranës. Dy klube që hodhën bustin e pasionit të ndërtuar në vite, të cilat as nuk tregojnë dot nga frika e xhelatit, se në fatin e tyre tragjik ka gisht edhe “djalli me kollare”. Trajneri Cungu shpon më shumë se Josa kur bërtet, edhe pse me vonesë: “paska qënë i gjithi një skenar i fëlliqur”. Çudi se si s’ka dalë akoma një deklaratë zyrtare nga FSHF, ku për herë të parë mund t’i besonim në një rast : “ Nuk ishte ky skenari i kampionatit, sepse “treni” doli nga shinat në javët e fundit. Ne donim Laçin si viktimë, kurse disa ekipe që kanë vuajtur prej tyre..nuk e lanë të ikte. Ky është futbolli që meritoni dhe mos bëni sikur vdisni për ndershmeri..”

Sfidanti.al