Pesë persona janë vendosur në arrest shtëpie pas një operacioni të përbashkët mes Karabinierëve të Reggio Calabrias dhe Guardias di Finanza, nën akuzën për asociacion kriminal dhe mashtrim sportiv. Masat u vendosën nga Gjykata e Reggio Calabrias, pas një hetimi që zbuloi një rrjet të mirë-organizuar për trukimin e ndeshjeve në kategoritë e të rinjve dhe në Serie C. Hetimet nisën në janar 2024, kur Agjencia e Doganave dhe Monopoleve sinjalizoi një fluks të pazakontë bastesh në një ndeshje të kampionatit Primavera.
Nga verifikimet rezultoi se prapa veprimtarisë fshihej një grup kriminal i udhëhequr nga arbitri Luigi Catanoso, pjesëtar i seksionit AIA të Reggio Calabrias, i cili dyshohet se ka manipuluar disa takime duke ndikuar në penallti dhe kartonë të kuq për të favorizuar bastet e grupit. Sipas prokurorëve, Catanoso jo vetëm që vazhdoi të vepronte pas pezullimit, por korruptonte kolegët e tij, duke u ofruar deri në 10 mijë euro për ndeshje.
Në skemë ishin përfshirë edhe dy sipërmarrës nga Toscana, baba e bir, pronarë të një agjencie bastesh në Sesto Fiorentino, që financuan blerjen e arbitrave dhe përdorën platforma bastesh jashtë Bashkimit Evropian për të shmangur gjurmimin e fitimeve. Arbitri Stefano Milone, i cili denoncoi kolegun e korruptuar, tha se “ishte e lehtë të gjeje guximin për të folur” dhe se “ligjshmëria ka fituar”. Hetimet vijojnë për të identifikuar ndeshje të tjera të trukuara dhe për të gjurmuar rrjedhën ndërkombëtare të parave.

 
    