Klubi saudit Al-Hilal ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me mesfushorin Sergej Milinković-Savić, i cili do të qëndrojë në klub deri në vitin 2028.
Serbi 30-vjeçar iu bashkua Al-Hilalit në verën e vitit 2023, pasi u transferua nga Lazio për 40 milionë euro, pas tetë viteve të shkëlqyera në Serie A. Me marrëveshjen e re, Milinković-Savić do të fitojë deri në 30 milionë euro në vit, përfshirë bonuset, një rritje e madhe krahasuar me 3.2 milionët neto që përfitonte në Itali.
Në njoftimin zyrtar, Al-Hilal vlerësoi kontributin e tij të jashtëzakonshëm:
“Sergej ka dhënë paraqitje të shkëlqyera me skuadrën dhe, së bashku me shokët e tij të ekipit, ka ndihmuar në fitimin e pesë trofeve për Al-Hilal. Ai gjithashtu ishte kyç në sukseset e klubit në Kupën e Botës për Klube 2025, ku arritëm deri në çerekfinale.”
Që prej transferimit në Arabinë Saudite, Milinković-Savić ka regjistruar 31 gola dhe 27 asistime në 105 ndeshje, duke u bërë një nga figurat më të rëndësishme të kampionatit.
Edhe pse vlera e tij në treg ka rënë nga 50 milionë në 17 milionë euro për shkak të moshës dhe nivelit më të ulët të ligës, ai mbetet ndër 20 lojtarët më të vlefshëm të Pro Ligës Saudite.
sfidanti.al

