Gjysmë-maratona e Valencias, Almgren europiani i parë nën 59 minuta!

Gjysmë-maratona e Valencias e mbajtur paraditen e sotme ka sjellë një rekord historik për atletikën europiane pasi për herë të parë një atlet i kontinetit tonë përshkoi distancën prej 21.0975 km nën 59 minuta.

Bëhet fjalë për atletin suedez Andreas Almgren, i cili vendosi rekord pasi preu finishin me kohën 58 minuta 41 sekonda.

Sa i përket fituesve kjo garë u fitua nga etiopiani Yomif Kejelcha me kohën 58:02 ndërsa Almgren e përfundoi garën i katërti. Për atletin suedez ky ishte rekordi i tretë i vendosur në Europë këtë vit. Ai vendosi rekord në distancën e 10 km po në Valencia me kohën 26:53 ndërsa në Stokholm vendosi rekord të ri në garën e 5000 metrave me kohën 12:44.27.