Kur duhet shkuar në tualet nuk ke ç’bën, duhet të shkosh, por si i bëhet kur ËC-ja është larg, ndërsa ti je në punë, domethënë në garë. Kjo i ndodhi liderit të Xhiros së Italisë, Tom Dymulin, kur duheshin edhe 32 km nga etapa e 16-të, e gjatë prej 222 km. Fillimisht, askush nuk e kuptoi se çfarë ndodhi kur çiklisti belg ndaloi në anë të rrugës, e la biçikletën përtokë dhe shkoi të gjente një vend për t’iu përgjigjur “thirrjes së natyrës”.
Grupi i çiklistëve nuk e priti kryesuesin, dhe Dymulin u detyrua të sforcohej shumë për t’u kthyer tek më të mirët. Gjithsesi, në një etapë të vështirë, ai humbi 2 minuta e 17 sekonda ndaj rivalit të tij të madh, italianit Vinçenco Nibali. Tashmë, kryesimi i Dymulinit është zvogëluar në vetëm 31 sekonda. “Më vjen keq për këtë që ndodhi, – tha ai pas etapës, – nëse nuk do të më kishte ndodhur problemi, do ta kisha përfunduar etapën në krah të Nibalit dhe Kintanës”.
Sfidanti.al