Barcelona, Ter Stegen përpara një udhëkryqi

E ardhmja e Marc-André Ter Stegen te Barcelona mbetet e paqartë. Sipas gazetarit të njohur të Sky Sport Deutschland, Florian Plettenberg, pavarësisht zërave që flisnin për qëndrimin e tij në “Camp Nou”, largimi i portierit gjerman gjatë merkatos së janarit nuk përjashtohet më. Vendimi përfundimtar ende nuk është marrë, por situata e Ter Stegen është bërë gjithnjë e më e ndërlikuar. Ai po përballet me konkurrencën e Wojciech Szczęsny-t dhe Joan García-s, gjë që i ka kufizuar hapësirat në formacionin titullar të skuadrës katalanase.

Mungesa e minutave mund ta dëmtojë seriozisht shanset e tij për të qenë pjesë e Gjermanisë në Kupën e Botës 2026, ndaj portieri po shqyrton me kujdes të gjitha opsionet. Vendimi për të ardhmen e tij pritet të merret në javët e ardhshme, teksa Ter Stegen do të duhet të zgjedhë mes qëndrimit në Barcelonë dhe garancisë për më shumë minuta diku tjetër për të mos humbur mundësinë e Botërorit.

sfidanti.al