Mitajn e ndjek fati i keq, e pëson edhe me trajnerin e ri

Sergio Conceicao ka debutuar zyrtarisht në pankinën e Al Itihad, skuadrës që garon në kampionatin saudit. Trajneri portugez, i cili mori drejtimin e ekipit javën e kaluar, e nisi aventurën e tij me një barazim 1-1 ndaj Al Fajha në takimin e zhvilluar në Riad. Por për Mario Mitajn, mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, lajmet nuk ishin pozitive.

Ashtu si në periudhën kur skuadrën e drejtonte Blanc, edhe Conceicao ka vendosur të mos e përfshijë Mitajn në listën e lojtarëve për këtë ndeshje të kampionatit. Futbollisti i majtë ka qenë i pranishëm në stërvitjet e përditshme me grupin, por emri i tij mungoi sërish në protokollin zyrtar.

Arsyeja lidhet me rregulloren e kampionatit saudit, e cila lejon vetëm tetë lojtarë të huaj të regjistrohen për çdo ndeshje.

Në këtë përballje, trajneri portugez zgjodhi si të huaj titullarë portierin Rajkoviç, mesfushorët Danilo Pereira, N’Golo Kante dhe Fabinjo, si dhe sulmuesit Diaby, Benzema dhe Bergvijn, ndërsa Dumbia u aktivizua në pjesën e dytë.

Për pasojë, Mitaj mbetet sërish jashtë planeve të skuadrës në kampionat, një situatë që e vë atë në vështirësi për sa i përket aktivizimit dhe ritmit të lojës.

Në rast se kjo situatë nuk ndryshon, mbrojtësi shqiptar pritet të ketë pak hapësira për të luajtur deri në ndeshjet e ardhshme të Kombëtares, me përjashtim të kompeticionit aziatik të Ligës së Kampioneve, ku nuk zbatohet kufizimi për numrin e të huajve.

Në këtë mënyrë, e ardhmja e afërt e Mitajt në Arabinë Saudite mbetet e pasigurt, ndërsa klubi dhe trajneri i ri do të vendosin në javët e ardhshme nëse mbrojtësi i Kombëtares shqiptare do të përfshihet më shumë në rotacionin e ekipit.

Sfidanti.al