Një mbrëmje festive kuqezi në “Air Albania”! Kombëtarja shqiptare e futbollit ka dhuruar spektakël në miqësoren ndaj Jordanisë, duke triumfuar me rezultatin bindës 4-1, në një ndeshje që solli emocione, gola dhe optimizëm për sfidat vendimtare të nëntorit.
Pas suksesit historik ndaj Serbisë, ku Shqipëria shkroi një faqe të re në futbollin kombëtar, ekipi i drejtuar nga Sylvinho konfirmoi edhe një herë formën e shkëlqyer dhe forcën e grupit. Fitorja e sotme është më shumë se një test miqësor, është vazhdimësi e rrugëtimit drejt një objektivi madhor: kualifikimi në Kupën e Botës 2026. Atmosfera në “Air Albania” ishte e zjarrtë, me tifozët kuqezi që i dhanë zemër skuadrës në çdo aksion. Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe, ndonëse Shqipëria u ndëshkua e para në minutën e 27-të pas një goditjeje këndi të shfrytëzuar nga Al-Rashdan, reagimi ishte i menjëhershëm dhe plot karakter.
Një paraqitje bindëse, një grup i bashkuar dhe një frymë e fortë fituese, këto janë sinjalet më të mira për kuqezinjtë, që tashmë shohin me besim dhe vendosmëri drejt përballjeve të nëntorit me Andorrën dhe Anglinë, ku synimi është i qartë: të sigurohet pjesëmarrja historike në play-off të Botërorit 2026.
Golat
Nis me ritëm të lartë miqësorja me Jordaninë në “Air Albania”. Tregohet në lartësinë e duhur portieri Dajsinani, që shmang një gol të sigurt në duelin një për një me sulmuesin kundërshtar në minutën e 18-të, pas një pasimi të gabuar të Balliut në prapavijë.
Në minutën e 22-të i afrohet golit skuadra kuqezi pas një kombinimi të bukur mes Asanit dhe Dakut, me këtë të fundit që preferon të godasë vetë në një pozicion të prirët.
Ndëshkohen kuqezinjtë (27′): në zhvillimet e një këndoreje, Al-Rashdan dërgon topin në rrjetë, 0-1. Festë në ‘Air Albania’ në minutën e 40’, një inkursion nga Nedim Bajrami në thellësi të zonës së Jordanisë, detyron një mbrojtës kundërshtar ta dërgonte topin në rrjetë: 1-1.
Pak çaste më vonë i afrohet golit Kristjan Asllani, por ndërhyen në pozicion një mbrojtës.
Vjen përmbysja në ‘Air Albania’, ku skenën këtë radhë e rrëmbën Armando Broja, që realizon me klas një supergol, pas asistit të dhënë nga Asllani, 2-1.
Vjen një tjetër perlë në ‘Air Albania’ (74’), këtë herë nga këmbët e Arbër Hoxhës, që shkarkoi të djathtën nga një distancë e largët, duke e dërguar topin në rrjetë, 3-1.
Vijon spektakli i kuqezinjve (79’): Armando Broja shpërthen nga e djathta dhe pason në qendër për Bajramin, që bën më të mirë, duke përshëndetur rrjetën, 4-1.
sfidanti.al