Adrian Bajrami është kthyer në qendër të vëmendjes ditët e fundit, pasi ka vendosur të ndërrojë fanellë, duke lënë Shqipërinë për të përfaqësuar Zvicrën. Vendimi i tij u konkretizua menjëherë, pasi mbrojtësi i Luzernit është ftuar nga trajneri Murat Yakin për dy ndeshjet kualifikuese të tetorit drejt Kupës së Botës 2026.
Vetëm tre muaj pas rikthimit në Superligën zvicerane, Bajrami ka marrë një hap madhor në karrierë. “Telefoni im po shpërthen nga urimet e familjes dhe miqve. Ndihem jashtëzakonisht i lumtur”, u shpreh ai për “Blick”.
Futbollisti 22-vjeçar, i lindur në Langenthal, është rritur në akademinë e Young Boys, por që në moshën 16-vjeçare u transferua te Benfica, ku kaloi shtatë vite deri në ekipin e parë. Këtë verë vendosi të rikthehej në vendlindje, duke iu bashkuar Luzernit.
Për shokët e rinj të skuadrës, Bajrami përmend njohjet me Zeki Amdounin dhe Fabian Rieder, ndërsa pret me emocion takimin me kapitenin Granit Xhaka: “E kam admiruar gjithmonë. Është një model për çdo futbollist të ri”.
Pas një aventure të shkurtër me Shqipërinë U-18 dhe tri miqësore, Bajrami shpjegon kthesën: “Jam lindur dhe rritur në Zvicër, këtu ndihem si në shtëpi. Megjithatë, rrënjët e mia shqiptare do t’i mbaj gjithmonë me krenari”.
sfidanti.al