Barcelona ka konfirmuar se talenti i saj, Lamine Yamal, do të qëndrojë jashtë fushave për një periudhë prej dy deri në tri javë, pas rikthimit të shqetësimeve në zonën e pubisit. Sulmuesi i ri nuk do të jetë i gatshëm për sfidën e së dielës kundër Sevilla-s në “Sánchez Pizjuán” dhe mbetet dyshimi i madh për ndeshjet e radhës ndaj Girona-s dhe Olympiacos-it. Për pasojë, ai nuk do të mund të jetë as me përfaqësuesen e Spanjës, ndonëse ishte thirrur nga Luis de la Fuente mëngjesin e kӕsaj të premteje.
Yamal nuk u pa në stërvitjen e fundit të Barcelonës, edhe pse disa nga titullarët ndaj PSG-së punuan vetëm në palestër. Pas ndeshjes të së mërkurës në Champions, ai u largua nga stadiumi duke mos qenë në formë optimale, ndërsa testet e pasdites të së premtes konfirmuan se problemet janë rikthyer.
Ky dëmtim ka qenë gjithashtu shkak për debate mes trajnerit të Barcelonës, Hansi Flick, dhe seleksionuesit të Spanjës, De la Fuente, pasi gjermani e akuzoi federatën se e kishte detyruar lojtarin të luante me dhimbje gjatë grumbullimit të kaluar. De la Fuente u përgjigj duke theksuar se gjithmonë thotë “të vërtetën” dhe se ekipi i tij kujdeset për lojtarët.
Kjo nuk është hera e parë që Yamal përballet me këtë problem fizik. Ai humbi katër ndeshje radhazi (kundër Valencias, Getafes, Newcastle dhe Oviedos) për shkak të së njëjtës gjendje, përpara se të rikthehej me një gjysmë ore lojë kundër Real Sociedad. Pas 90 minutave të plota ndaj PSG-së, 18-vjeçari detyrohet sërish të ndalet. Barcelona do të udhëtojë pa të në transfertën e së shtunës dhe rikthimi i tij do të vlerësohet vetëm pas pushimit ndërkombëtar.
sfidanti.al

