Reali thyen mallkimin dhe shpallet kampion i Spanjës

Është titulli i 33-të, një rekord, por u deshën 5 vjet për ta thyer mallkimin e fundit. Reali i Madridit u shpall kampion i Spanjës për herë të parë që nga koha e Murinjos në vitin 2012, pas suksesit 2-0 në fushën e Malagës. Golat e Kristiano Ronaldos dhe Karim Benzemasë i dhanë suksesin, ndonëse për të marrë kurorën i mjaftonte edhe një barazim. Skuadra e trajnerit Zidan mbylli në mënyrën më të mirë një sezon, në të cilin e meritonte titullin për vazhdimësinë më të madhe sesa Barcelona.

Fitoi 93 pikë, ndonëse pësoi edhe 3 humbje dhe pati 4 barazime në një kampionat më të vështirë sesa në vitin e rekordeve, kur pati 100 pikë dhe shënoi 121 gola. Këtë herë numri i rrjetave ishte 106, më i paktë sesa ai i katalanasve që arritën deri në 116, por pa e thyer dot rekordin e “merengesve” të Murinjos. Barcelona fitoi 4-2 ndeshjen e fundit ndaj Eibarit në “Kamp Nou”, duke përcjellë trajnerin Luis Enrike i cili do të largohet në fund të sezonit, ndonëse do ta drejtojë ekipin edhe në finalen e Kupës së Mbretit.

Ngushëllimi për katalanasit ishte Këpuca e Artë e Lionel Mesit, që shënoi 37 gola, 9 më shumë se Luis Suarez dhe 12 më shumë sesa rivali i tij i madh, Kristiano Ronaldo. Ndaj Eibarit, argjentinasi humbi penallti, por realizoi dy herë.

Sfidanti.al