Bekim Balaj e mbylli me sukses personal sezonin e Premier Ligës së Rusisë, duke shënuar gol, dhe duke fituar ndeshjen e fundit me Terekun e Groznit, por objektivi kryesor nuk u realizua. Skuadra nga Çeçenia dështoi vetëm për një pikë duke e mbyllur kampionatin me 48, ndaj 49 të Krasnodarit që shkon në raundin e tretë eleminator të Ligës së Europës. Një mëkat i vërtetë i formacionit jugor, në radhët e të cilit bëjnë pjesë shqiptarët Bekim Balaj, Odise Roshi dhe Bernard Berisha, dy të parët pjesë e përfaqësueses së Shqipërisë, dhe i treti pjesë e përfaqësueses së Kosovës.
Pas rrjetës në fushën e Krilia Sovjetovit të Samarës (3-1 rezultati), sulmuesi shkodran e mbylli kampionatin në vend të katërt të renditjes së shënuesve me 8 gola, duke qenë vetëm 3 rrjeta larg vendit të dytë që mbahet nga holandezi i Spartakut të Moskës, Kuinsi Promes. Odise Roshi, ndërkaq, me 5 asiste, ishte ndër 8 lojtarët më të mirë të Premier Ligës ruse në këtë kategori.
Sfidanti.al