Egnatia drejt Tiranës me optimizëm

Egnatia do të presë Tiranën të shtunën në mbrëmje për javën e katërt të kampionatit. Kampionët në fuqi vijnë pas fitores së arritur në Ballsh, kundër Bylisit dhe trajneri Edlir Tetova thotë se skuadra ka punuar me qetësi dhe është gati për takimin.

“Ka qenë një javë e qetë, grupi është stërvitur normalisht. Selmani kishte dje probleme, por mendoj se do të jetë i gatshëm. Gruda kthehet nga dëmtimi , mendoj se është i gatshëm dhe është stërvitur normalisht me pjesën tjetër të skuadrës”.

Tirana ndërkohë mban vendin e fundit, me vetëm dy pikë pas tri ndeshjeve. Për Tetovën, bardheblutë nuk kanë pika të dobëta, pavarësisht pozicionit.

“Tirana është një nga skuadrat tona më me traditë, por fokusi është te Egnatia, te ajo që unë mendoj se duhet bërë në fushën e lojës. Tirana, përveç ribërjes së grupit, nuk ka pika të dobëta pasi flasim për ekipin më të titulluar në Shqipëri”.

Rrogozhinasit vijnë pas dy titujve radhazi. A ndjen presion Tetotva për të fituar edhe titullin e tretë?

“Çfarë është e kaluara, është e kaluara, e mira është që të bëjmë këtë vit atë që kemi bërë në të kaluarën, por mendoj se gjithë theksi është te mënyra e lojës. Në presion më vë vetëm kjo pjesë, se si unë apo Egnatia duhet të shfrytëzojë apo shtrihet në fushën e lojës për të lëvizur topin”.