Flamurtari kërkon fitoren e parë

Në tre javë vetëm dy pikë. E tashmë Flamurtari kërkon fitoren e parë në Abissnet Superiore. Vlonjatët do të luajnë sërish jashtë fushës së tyre, konkretisht në Laç, ku i pret transferta e vështirë me Vorën, ekip me të cilin rivalizuan edhe sezonin e kaluar teksa ndodheshin në kategorinë e parë. Tani te Flamurtari kërkohen tri pikët ndërsa priten ndryshime në formacionin titullar, krahasuar me dy ndeshjet e fundit të kampionatit.

Burime nga klubi vlonjat konfirmojnë se gjatë këtyre ditëve në stërvitje, trajneri Carlos Garsia i ka dhënë prioritet repartit të mbrojtes, aty ku me shumë mundësi mund të ketë lëvizje përsa i përket lojtarëve titullarë. Stiven Janku është një nga lojtarët që mendohet se mund ta nisë nga minuta e parë ndeshjen ndaj Vorës sëbashku me Diarra në mesfushë.

Te kuqezinjtë e Vlorës, përsa i përket sulmit, Maksuti është ai që deri tani i ka lënë të gjithë të kënaqur në qytetin bregdetar, e përkrah tij pritet të luajë italiani Bolzan. Megjithatë, formacioni përfundimtar do të përcaktohet në përfundim të seancës së fundit stërvitore të Flamurtarit, e cila do të zhvillohet të shtunën. Takimi me Vorën do të luhet të dielën në stadiumin e Laçit duke nisur nga ora 16.00.

sfidanti.al