Papu Gomez rrëfen dramën e tij: Dy vite dënim për një shurup kolle

Më 18 tetor, Papu Gómez do të rikthehet ta ndiejë veten futbollist. Argjentinasi 37-vjeçar, kampion bote me “albicelesten” në vitin 2022, do të përfundojë më në fund dënimin dyvjeçar për doping, një periudhë që ai e cilëson si më të errëtën e karrierës së tij.

Gjithçka nisi në tetor të vitit 2023, kur testet antidoping zbuluan praninë e një substance të ndaluar në organizmin e tij. Sipas versionit të lojtarit, gjithçka kishte ardhur pasi kishte marrë një shurup kundër kollës të destinuar për fëmijët e tij, pa konsultuar mjekët e Sevillas. Ky ilaç përmbante një përbërës të ngjashëm me salbutamolin. Pas këtij episodi, Sevilla i ndërpreu kontratën, ndërsa më pas Gómez u transferua te Monza, përpara se të niste një aventurë të re me Padovan në Serie B. “Merr kokainë, pi hashash dhe të japin gjashtë muaj. Unë mora dy vite për një shurup kundër kollës. Kush mund ta kuptojë këtë?”, u shpreh ai për agjencinë argjentinase Corta. “Ishte një padrejtësi e madhe. Në fillim kisha shumë zemërim, e kisha të pamundur të shihja futbollin, madje e fikja televizorin. Për mua, futbolli kishte vdekur. U izolova dhe nisa të punoja me një psikolog, sepse isha futur në një cikël nga i cili nuk dilja dot.”

Lojtari pranon se përveç dënimit, edhe reagimet e njerëzve e goditën fort. “Më zhgënjeu fakti që shumë njerëz u zhdukën nga jeta ime, por nuk i fajësoj. Secili reagon si mundet. Megjithatë, më surprizoi për mirë mbështetja e disa të tjerëve që nuk i prisja.” Sot, në prag të kthimit në fushë, Papu është i vendosur të nisë një faqe të re. Ai ka firmosur një kontratë dyvjeçare me Padovan, me opsion rinovimi për një sezon tjetër, dhe synon të rikthejë buzëqeshjen që iu mor dy vite më parë.

“Nuk ishte momenti im për t’u tërhequr nga futbolli, nuk mund të vendosin dy-tre njerëz të ulur me kollare fundin e karrierës sime. Do të luftoj sërish.”