Serbia i kërkon UEFA-s që sfida ndaj Shqipërisë të mos luhet në Beograd

Anglia kryeson me pikë të plota grupin K të eliminatoreve të Botërorit 2026 dhe është thyajse e kualifikuar në finalet e Kupës së Botës, prandaj Serbia dhe Shqipëria rivalizojnë me njëra-tjerën për vendin e dytë në grup.

Përballja direkte mes dy skuadrave pas një muaji do të vendosë se cila nga kombëtaret do të mbajë gjallë shpresat për një vend në Play Off. Fillimisht ndeshja ishte planifikuar të luhej në Beograd, megjithatë, Federata Serbe e Futbollit thotë se po shqyrtohet mundësia e ndryshimit të vendndodhjes dhe skuadra vendase mund të zhvendoset në stadiumin e Leskovacit.

“Tani kemi para nesh, vetëm pas tre javësh, grumbullimin për ndeshjen më të rëndësishme në kualifikuese, për ndeshjen me Shqipërinë, e cila do të vendosë drejtpërdrejt se kush do të shkojë në fazën eliminatore për Kupën e Botës. Ajo ndeshje është përparësia jonë absolute për momentin, kemi lojtarë që nuk kanë harruar të luajnë futboll, që luajnë në klube serioze, në liga serioze, ata kanë mundur ta bëjnë kombin të lumtur më parë dhe besoj se mund ta bëjnë edhe këtë herë – tha Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Serbisë, Branko Radujko, për Tanjug.

Ai shton gjithashtu se dëshira e Federatës është që dueli me Shqipërinë të zhvillohet në Leskovac.

“Po punojmë intensivisht për të marrë miratimin për ndryshimin e vendndodhjes për atë ndeshje, Leskovci është një mjedis ku kombëtarja është përgatitur gjithmonë në paqe, ku u prit me mbështetje të pakursyer në një atmosferë jashtëzakonisht pozitive dhe ku regjistroi disa rezultate shumë të rëndësishme pozitive. Besoj se në periudhën e ardhshme do të luajmë në Leskovac”, theksoi Radujko.

sfidanti.al