Roman Abramovic ‘hap thesin’; 200 mln Paund per blerje futbollistësh

Pas fitores së titullit në Premier League nga ana e Chelseat, Roman Abramovich vendosi të hapë thesin. Sipas asaj që publikohet te ‘The Telegraph’, manjati rus i Bluve të Londrës ka vendosur të akordojë një fond prej 200 milionë Paund që do t’i vihet në dispozicion Antonio Contes për ta shpenzuar në merkaton e transferimeve. Chelsea ka piketuar disa futbollistë për t’u përforcuar sezonin e ardhshëm dhe njëri prej tyre është mesfushori i Monacos, Tiemoue Bakayoko, për të cilin kampionët e saposhpallur të Anglisë kanë ofruar 42.7 mln Paund. Ndërkaq, Chelsea ka edhe strategji të tjera përsa i përket të ardhmes. Në radhë të parë klubi londinez po punon për të mbajtur portierin Thibaut Courtois duke i ofruar një kontratë të re me pagë 150 mijë Paund në javë. Në të njëjtën kohë, Chelsea synon të ‘mbërthejë’ fort edhe Eden Hazard duke i premtuar se skuadra do të ndërtohet rreth tij nëse ai rinovon kontratën.

sfidanti.al