Egnatia, Lushnkja nuk largohet…për momentin

Egnatia pritet të ketë ndryshime të rëndësishme në përbërje menjëherë pas eliminimit nga kupat e Europës. Burime pranë klubit bëjnë me dije se mesfushori Regi Lushkja dhe sulmuesi Soumaila Bakajoko janë pranë largimit gjatë kësaj merkatoje verore.Të dy lojtarët kanë qenë pjesë e rëndësishme e suksesit të skuadrës në sezonet e fundit. Lushkja, i njohur për stabilitetin dhe lidershipin në mesfushë, ka zgjuar interesin e disa klubeve brenda dhe jashtë vendit. Nga ana tjetër, Bakajoko, një nga pikat kryesore të sulmit, ka kontribuar me gola dhe paraqitje të mira, duke tërhequr vëmendjen e ekipeve që kërkojnë përforcime në fazën ofensive. Drejtuesit e klubit rrogozhinas nuk e kanë mohuar mundësinë e shitjes së lojtarëve nëse vijnë oferta të përshtatshme, për të mbushur sërish arkat dhe i investuar më pas në afrime të tjera.

Për momentin Regi Lushkja do të vazhdojë të mbetet pjesë e Egnatias. Klubi rrogozhinas ka refuzuar një ofertë nga Turqia për yllin e skuadrës, duke i dhënë fund zërave për një largim të mundshëm gjatë kësaj merkatoje verore. Para ndeshjes kundër Olimpija Ljubljanës, drejtori sportiv Klejdi Zenelaj kishte pranuar se ishin në bisedime me një klub turk dhe se negociatat ndodheshin në një fazë të avancuar.

Bëhej fjalë për Sivasporin, që kishte ofruar 100 mijë euro për kartonin e mesfushorit. Pas ndeshjes, edhe vetë Lushkja e konfirmoi publikisht se kishte pasur kontakte, ndërsa trajneri Tetova deklaroi se lojtari nuk do të lëvizte. Mirëpo, presidenti i Egnatias, Agim Demrozi, i ka vënë kapakun përfundimisht kësaj çështjeje: “Na kanë bërë një ofertë qesharake prej 100 mijë eurosh. Ai nuk lëviz nga Egnatia, sepse ka edhe tre vite kontratë me ne”, u shpreh kreu i klubit për “Panorama Sport”. Ky vendim tregon qartë se Egnatia nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga lojtarët kryesorë, sidomos në një moment kur skuadra kërkon të ruajë stabilitetin pas paraqitjes së denjë në Europë dhe në prag të sezonit të ri të Superiores.

Sulmuesi 23-vjeçar i Egnatias, Soumaila Bakajoko, është shumë pranë një kalimi në kampionatin ukrainas, ku interesin më të madh e ka shfaqur Zorya Lugansk. Palët ndodhen në tratativa të avancuara dhe, sipas të gjitha gjasave, transferimi mund të mbyllet për rreth 250 mijë euro. Sulmuesi Bakajoko iu bashkua Egnatias vitin e kaluar si lojtar i lirë nga zviceranët e Xamax dhe shpejt u kthye në një element kyç për skuadrën rrogozhinase, duke lënë gjurmë edhe në ndeshjet evropiane, përfshirë golin e shënuar ndaj Dinamo Minsk muajin e shkuar.

 

sfidanti.al