Dinamo e Tiranës është mundur me rezultatin 2-1 nga Hajduk Split në takimin e parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, i zhvilluar në stadiumin mitik “Poljud”. Skuadra shqiptare bëri një paraqitje dinjitoze, madje kaloi e para në epërsi falë një goli spektakolar të Dejvi Bregut, por nuk arriti ta ruante avantazhin përballë presionit të vendasve.
Në minutën e 37-të, mesfushori vlonjat lëshoi një predhë nga distanca, duke mposhtur portierin dhe duke tronditur stadiumin e tejmbushur të Splitit. Goli i Bregut u shoqërua me entuziazëm të madh në pankinën e Dinamos, ndërsa publikun vendas e la të shtangur.
Por në pjesën e dytë, Hajduku reagoi fort. Vetëm katër minuta pas rifillimit të lojës, Durdov shfrytëzoi një aksion të mirë me Krovinovic për të barazuar rezultatin në 1-1. Epërsia psikologjike kaloi në anën e kroatëve, të cilët nuk ndalën së sulmuari.
Presioni i vazhdueshëm i Hajdukut u konkretizua në minutën e 63-të, kur Saniang shënoi golin e përmbysjes dhe vendosi rezultatin përfundimtar 2-1.
Pavarësisht humbjes, Dinamo tregoi karakter dhe cilësi në një nga stadiumet më të vështira të rajonit. Tani gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit në Shqipëri, ku blutë do kërkojnë të përmbysin disavantazhin dhe të bëjnë historinë.
sfidanti.al