Dy prej futbollistëve më të rëndësishëm të Dinamos, Baton Zabërgja dhe Itodo Mandela, nuk do të jenë më pjesë e skuadrës pas përfundimit të aventurës europiane. Klubi nga kryeqyteti ka arritur marrëveshje për shitjen e tyre te Metalist, ekipi që sapo është ngjitur në Premier Ligën e Ukrainës. Këto transferime përfaqësojnë një ndër arritjet më të mëdha financiare në historinë e klubit shqiptar.
Sipas marrëveshjes mes palëve, Baton Zabërgja do të transferohet në Kharkiv për shumën prej 800 mijë eurosh. Lojtari nga Kosova ka firmosur një kontratë trevjeçare me klubin ukrainas, e cila përfshin edhe një opsion për rinovim edhe për një sezon tjetër. Në aspektin financiar, Zabërgja do të përfitojë 350 mijë euro për çdo sezon, duke çuar përfitimin total në 1.4 milionë euro për kohëzgjatjen e kontratës.
Në të njëjtën kohë, Metalist ka siguruar edhe shërbimet e sulmuesit nigerian Itodo Mandela, për të cilin ka paguar 1.1 milionë euro. Pjesë e rëndësishme e këtij transferimi është klubi shqiptar Luzi i Vogël, që kishte ruajtur 50% të kartonit të lojtarit.
Kështu, gjysma e shumës së transferimit, konkretisht 550 mijë euro, do të kalojë në arkën e Luzit. Kjo marrëveshje i garanton Dinamos një tjetër përfitim të konsiderueshëm financiar, ndërkohë që tregon edhe rritjen e vlerës së lojtarëve që aktivizohen në kampionatin shqiptar.
Të dy lojtarët tashmë kanë përfunduar me sukses testet mjekësore dhe janë zyrtarisht pjesë e skuadrës ukrainase. Megjithatë, transferimi i tyre do të hyjë në fuqi pas ndeshjes së kthimit në raundin e dytë të Konferencë Ligë kundër Atletik D’Eskaldes. Drejtuesit e Dinamos kanë vendosur që të mos i humbasin dy titullarë të rëndësishëm në një moment vendimtar për sezonin europian, duke siguruar që të jenë të gatshëm për sfidën e kthimit dhe tentimin për kalimin në turin e tretë.
Këto lëvizje shënojnë një arritje të rëndësishme për Dinamon në aspektin ekonomik, me një total prej mbi 1.9 milionë eurosh të përfituara nga shitja e dy lojtarëve.
sfidanti.al