Lionel Messi është në qendër të një polemike të re në kampionatin amerikan, pasi është dënuar nga MLS me një ndeshje pezullim për shkak të mungesës së tij në ndeshjen All-Star mes ‘yjeve’ të MLS dhe atyre të Ligës MX, e zhvilluar të mërkurën në Austin, Texas. Bashkë me të është dënuar edhe shoku i skuadrës, Jordi Alba. Kjo do të thotë se të dy do të mungojnë në sfidën e rëndësishme të Inter Miamit ndaj liderit të Konferencës së Lindjes, FC Cincinnati, të shtunën në mbrëmje.
Ky vendim ka shkaktuar reagime të shumta dhe ka ndezur një debat mbi prioritetet e ligës. Inter Miami e justifikoi mungesën e Messit me arsye sportive, duke theksuar se kapiteni argjentinas ka luajtur pesë ndeshje të plota brenda 14 ditëve, në një ngarkesë të madhe fizike që nisi që nga përfundimi i Kupës së Botës. Messi ka pasur më shumë minuta në këmbë se çdo lojtar tjetër në MLS në këtë periudhë dhe klubi vendosi ta mbrojë për të shmangur rrezikun e lëndimeve.
Megjithatë, MLS i qëndroi rregullores së saj të brendshme, e cila parashikon pezullim me një ndeshje për çdo lojtar që mungon në ndeshjen All-Star pa justifikim mjekësor të drejtpërdrejtë. Ky precedent është zbatuar edhe më parë, si në rastin e Zlatan Ibrahimovic-it në vitin 2018, kur LA Galaxy refuzoi pjesëmarrjen e tij për shkak të fushës me bar artificial në Atlanta.
Vendimi për të ndëshkuar Messin ka ndezur një debat të madh në Shtetet e Bashkuara: a ka kuptim që MLS të sakrifikojë konkurrencën në kampionat për një event komercial si All-Star Game? Messi është figura më e madhe që ka ardhur ndonjëherë në këtë ligë dhe ka sjellë një rritje të paprecedentë në popullaritetin e saj. A po e dëmton MLS vetveten në emër të rregullave?
Ndërkohë, Inter Miami, që aktualisht renditet në vendin e shtatë në Konferencën e Lindjes, është shtatë pikë larg Cincinnati-t, por me tri ndeshje më pak. Mungesa e Messit në një ndeshje kaq të rëndësishme mund të ketë pasoja të mëdha sportive dhe në imazh për klubin dhe për vetë MLS-në.
sfidanti.al