Një ngjarje tronditëse ka goditur botën e gjimnastikës në Universiadën verore që po zhvillohet në Essen, Gjermani. Gjimnasti italian Lorenzo Bonicelli, 23 vjeç, pësoi një aksident të rëndë gjatë një ushtrimi në aparatin e unazave. Pas rrëshqitjes nga pozicioni, ai ra dhunshëm në tokë duke goditur qafën dhe shpinën, çka shkaktoi një traumë serioze.
Menjëherë pas rënies, Bonicelli u imobilizua dhe u transportua me urgjencë në spitalin universitar të Essenit, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe u vendos në koma të induktuar. Sipas mjekëve, jetës së tij nuk i kanoset rrezik, por do të duhen të paktën 10 ditë për të vlerësuar pasojat e vërteta të dëmtimit.
Në deklaratën zyrtare të spitalit thuhet: “Pacienti ndodhet në terapi intensive, por jeta e tij nuk është në rrezik”. Familja e tij ndodhet pranë, ashtu si edhe shokët e skuadrës, të cilët e kanë vizituar para se të largoheshin për në Itali. Bonicelli pritet të transferohet së shpejti në Itali për të vijuar rehabilitimin.
Shoku dhe shqetësimi pas incidentit çuan në tërheqjen e menjëhershme të skuadrës italiane nga gara. Federata Italiane e Gjimnastikës njoftoi se stafi teknik mori këtë vendim për të shmangur ndikimin emocional tek pjesa tjetër e ekipit.
Bonicelli, nga Lecco, ishte në paraqitjen e tij të dytë në Universiadë dhe kishte pas vetes një karrierë premtuese, me medalje në garat kombëtare dhe ndërkombëtare. I gjithë komuniteti i sportit është bashkuar në një thirrje të vetme: Forca Bonni!
sfidanti.al