Gazeta spanjolle MARCA raporton se Barcelona synon që hapja zyrtare e stadiumit të rinovuar Spotify Camp Nou, e parashikuar për verën e vitit 2026, të shndërrohet në një ngjarje të veçantë: një lamtumirë madhështore për Lionel Messin. Sipas raportimit, ideja është diskutuar gjatë një takimi informal të klubit me disa media të përzgjedhura, ku thuhet se Messi ka dhënë pëlqimin e tij për këtë plan. Megjithatë, burime të tjera të kontaktuara nga MARCA mohojnë që një marrëveshje e tillë të jetë zyrtarizuar. Pavarësisht dëshirës së Barcelonës për ta nderuar legjendën argjentinase për kontributin historik që ka dhënë, ekziston një pengesë serioze: nuk ka pasur asnjë kontakt zyrtar mes klubit dhe Messit për këtë iniciativë.
Marrëdhëniet mes presidentit Joan Laporta dhe Messit mbeten të ftohta që prej largimit të tij të dhimbshëm në verën e vitit 2021, kur ai u transferua te Paris Saint-Germain si lojtar i lirë. Gjatë konferencës së lamtumirës, emocionet e thella të Messit dëshmuan se ndarja ishte e papritur dhe e vështirë, si për të ashtu edhe për klubin. Që nga ajo kohë, nuk është zhvilluar asnjë bisedë mes dy palëve. Madje, edhe gjatë festimeve për 125-vjetorin e klubit, Messi nuk u ftua zyrtarisht. Ai u përfshi vetëm nëpërmjet një interviste dhe një mesazhi video, që dëshmon përkushtimin dhe ndjenjat e tij ndaj Barcelonës – pavarësisht mospajtimeve me drejtuesit aktualë. Për momentin, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar që ndeshja inauguruese e Camp Nou-t të rinovuar do të jetë një event lamtumire për Messin. Klubi ka lëshuar sinjale publike se kjo është ideja, por pëlqimi i vetë lojtarit mungon, dhe bindja e tij për të marrë pjesë nuk do të jetë e lehtë. Kujtojmë se largimi i Messit nga Barcelona u shkaktua nga kriza e thellë financiare që detyroi klubin të shkurtonte ndjeshëm shpenzimet, përfshirë edhe kontratat e mëdha të lojtarëve, si ajo e argjentinasit.
sfidanti.al