Marcus Rashford pritet të largohet nga “Old Trafford” para mbylljes së merkatos së verës, por destinacioni i tij i ardhshëm mbetet ende i paqartë. Manchester United dhe trajneri Ruben Amorim kanë bërë të qartë se sulmuesi anglez nuk bën më pjesë në planet e klubit, duke i hapur rrugë një largimi të pashmangshëm për lojtarin që u rrit në akademinë e klubit. Rashford kaloi gjysmën e dytë të sezonit të kaluar në huazim te Aston Villa, ku ishte një përforcim i mirëpritur nga tifozët, por klubi vendosi të mos aktivizojë opsionin e blerjes, për shkak të strategjisë për të ulur shpenzimet për paga.
Dëshira e Rashford për t’u bashkuar me Barcelonën është raportuar gjerësisht, por sipas “Mundo Deportivo”, interesim për të ka edhe nga Arabia Saudite. “Klubi katalanas nuk është i vetmi që po e ndjek. Ka edhe ekipe të fuqishme nga Arabia Saudite që janë të interesuara për Rashford. Madje, një prej tyre i ka bërë një ofertë shumë të rëndësishme që, sipas burimeve pranë lojtarit, kap vlerën e rreth 40 milionë eurove”, ka thënë gazetari Fernando Polo. Megjithatë, duke pasur parasysh objektivat personale të Rashford, një transferim në Arabinë Saudite, në një vit ku zhvillohet Kupa e Botës 2026, nuk do të ishte zgjedhja më e mençur. Ai është 27 vjeç dhe do të jetë 32 kur të zhvillohet Botërori i vitit 2030, ndaj ky është momenti i fundit për të lënë gjurmë në një turne të madh me Anglinë. Një klub europian si Barcelona, ku do të luante në skenën më të lartë të futbollit, është padyshim vendi më i mirë për të tërhequr vëmendjen e trajnerit të Anglisë, Thomas Tuchel, për një vend te “Tre Luanët”.
sfidanti.al