Klubi i Fenerbahçes po tregohet i pandalshëm gjatë merkatos së verës, duke synuar të ndërtojë në projekt shumë ambicioz me të cilin të kthehet te titulli kampion. Dhe klubi turk po bën ndërhyrje shumë të guximshme që po bëjnë bujë në merkato. Një ditë më parë, klubi turk i vodhi Milanit objektivin e merkatos, Arçi Braun, para se ky i fundit të firmoste me kuqezinjtë. Mediat italiane tani bëjnë të ditur se ai ka piketuar një tjetër lojtar, të cilin e ka bindur të bojkotojë stërvitjen në startin e sezonit, për t’iu bashkuar projektit të Murinjos. Bëhet fjalë për Aleksis Sançez, i cili nuk i është bashkuar në stërvitje Udinezes për të përgatitur sezonin e ri në Serinë A. Sançez është prej kohësh në luftë me trajnerin e skuadrës që nuk e aktivizonte e si rrjedhojë, ka vendosur t’i japë lamtumirën klubit duke bërë të qartë idenë e tij për t’u larguar. Fenerbahçe i ka premtuar atij një rrogë prej 4 milionë eurosh në sezon, por nuk është vetëm aspekti ekonomik që ka bindur kilianin. Sançez ka pranuar të vihet nën urdhrat e Murinjos, pasi ky i fundit i ka premtuar një rol kryesor në projektin e këtij sezoni ku objektivi është vetëm titulli kampion.
sfidanti.al