Një ngjarje e rëndë ka goditur klubin e Bayernit të Mynihut, pasi një prej trajnerëve që po merrte pjesë në një kamp veror për të rinj në Riesa, qytet në landin e Saksonisë, ka ndërruar jetë papritur gjatë aktivitetit. Sipas raportimeve, ngjarja tragjike ndodhi të hënën, kur trajneri u rrëzua në fushën e lojës menjëherë pas drekës. Edhe pse ndihma mjekësore mbërriti me shpejtësi dhe ai u transportua menjëherë në spital, nuk arriti t’i mbijetojë situatës. Emri i trajnerit nuk është bërë ende publik. Kampi, i cili kishte përfshirë 119 fëmijë dhe të rinj nga zona përreth Riesa-s, ishte pjesë e një programi pesëditor të organizuar në bashkëpunim me klubin lokal BSG Stahl Riesa. Kushtet atmosferike ishin të favorshme dhe të gjithë pjesëmarrësit kishin marrë uniforma dhe ujë të mjaftueshëm për seancat stërvitore. Ngjarja ndodhi në ‘Arena Feralpi’, ku trajneri, një bashkëpunëtor i jashtëm i klubit bavarez, humbi ndjenjat papritur. Reagimi i parë mjekësor ishte i menjëhershëm, por, për fat të keq, nuk mundi të shpëtohej.
Në një deklaratë zyrtare drejtuar prindërve të fëmijëve pjesëmarrës, Bayerni shprehu dhimbje të thellë:
“Jemi thellësisht të tronditur dhe të pikëlluar nga ngjarja tragjike që ndodhi gjatë kampit tonë në FC Bayern Campus në Riesa. Është e vështirë të gjesh fjalë në një situatë të tillë. Mendimet dhe ngushëllimet tona më të thella shkojnë për familjen, të afërmit dhe miqtë e trajnerit.”
Për të nderuar viktimën dhe në shenjë respekti, klubi vendosi të anulojë pjesën e mbetur të kampit. Gjithashtu, është ofruar mbështetje psikologjike për fëmijët, familjet e tyre dhe stafin teknik të pranishëm.
sfidanti.al