Botërori i Klubeve në SHBA po përballet me një sfidë të papritur: mungesën e interesit nga tifozët. Sipas Daily Mail, FIFA ka shpërndarë bileta falas në disa ndeshje të fazës së 1/8-ave për të shmangur pamjen e tribunave të zbrazëta në transmetimet televizive. E gjitha nisi pas përballjes Benfica–Chelsea, e cila u shty për dy orë për shkak të kushteve atmosferike, ndërkohë që kishin mbetur vetëm pesë minuta lojë. Si kompensim për pritjen, FIFA ofroi bileta falas për tifozët, të cilët më pas u lejuan të ndjekin edhe ndeshjen Inter–Fluminense: katër bileta për çdo person. Megjithatë, kjo praktikë nuk u kufizua vetëm tek ndeshjet e prekura nga moti. Ajo u përhap edhe në duele të tjera, si për shembull PSG–Inter Miami apo Dortmund–Monterrey, ku përkundër ofertave, pjesëmarrja ishte sërish larg kapacitetit maksimal. Në ndeshjen Los Angeles FC–Chelsea, vetëm 22,137 tifozë ishin të pranishëm në një stadium me kapacitet 71,000 vendesh. “Atmosfera ishte disi e çuditshme, stadiumi dukej thuajse bosh”, u shpreh trajneri i Chelsea-t, Enzo Maresca. FIFA, përveç shpërndarjes së biletave, ka vendosur që spektatorët të grumbullohen në zonat më të dukshme për kamerat televizive, në përpjekje për të krijuar një pamje më dinamike dhe të mbushur në transmetimet globale. Ky zbulim ka ngritur pikëpyetje serioze mbi interesin real për këtë format të ri të turneut, si dhe mbi organizimin e tij në SHBA.
sfidanti.al