Partizani, merkato e matur

Partizani ka afruar katër lojtarë të rinj deri tani. Bëhet fjalë për Xhuliano Skukën, Vusal Isgandarlin, Karlos Martinezin dhe Judah Garsian. Tre emrat e fundit veshin për herë të parë fanellën e klubit të kuq. Duke pasur parasysh edhe këtë fakt, duket se te Partizani nuk kanë rrezikuar me kontratat. Isgandarli, Martinez dhe Garsia kanë firmosur kontrata 1-vjeçare me opsion rinovimi dhe për 1 vit tjetër. Vetëm Skuka u prezantua me kontratë 3-vjeçare. Për sulmuesin dibran, besimi është i madh dhe të gjithë duan të kujtojnë atë të parin, që shpërthente me Partizanin në vitin 2022 kur vështirësitë nuk ishin të pakta. Merkato ka afruar te Partizani emra që janë me eksperiencë në përfaqësueset përkatëse kombëtare. Ky fakt shton kualitetin dhe shërben si model. Martinez është lojtari i vetëm që mbahet mend të ketë luajtur në Superiore dhe po ashtu në Botëror. Te Partizani do të ketë përgjegjësi të madhe, pasi 26-vjeçari nga Kosta Rika mbulon krahun e djathtë të mbrojtjes. Hadroj ishte i fundit që duke bërë mirë te Partizani në atë pozicion, fitoi ftesën e Kombëtares shqiptare. Judah Garsia luajti për 4 vite në Greqi me AEK B. 24-vjeçari kërkon të shpërthejë në Shqipëri, për të fituar sërish ftesën e përfaqësueses së Trinidad Tobagos. Emër interesant mbetet ndërkohë Vusal Isgandarli, që në pak kohë tek Egnatia dy vite më parë spikaste në krahun e majtë të sulmit. 29-vjeçari po ashtu numëron paraqitje me përfaqësuesen e Azerbajxhanit dhe nuk është vonë që të rikthehet sërish aty. Të tre këta lojtarë duhet të tregojnë veten në një sezon te Partizani. Një peshë të madhe ndërkohë për sulmin do ta ketë Skuka. 26-vjeçari ka luajtur në takime miqësore te Kombëtarja e Shqipërisë, ku edhe shënoi gol.

sfidanti.al