Humbi shikimin në njërin sy, por nuk u dorëzua dhe arriti Botërorin e Klubeve

Georgi Minoungou, lojtari 23-vjeçar i Seattle Sounders me origjinë nga Bregu i Fildishtë, ka tërhequr vëmendjen në Botërorin për Klube jo vetëm për paraqitjet në fushë, por edhe për historinë e tij të veçantë.

Ai ka humbur shikimin në njërin sy si pasojë e një infeksioni gjatë një turi miqësor, por kjo nuk e ndaloi të ndjekë ëndrrën si futbollist profesionist. Pas një periudhe të vështirë, ku rrezikonte të humbiste mundësinë për një kontratë me ekipin e parë, Minoungou punoi fort për të arritur këtë objektiv.

Ai ka kaluar më parë nga MFK Vyskov dhe Tacoma Defiance, duke ndërtuar karrierën hap pas hapi. Ndërhyrja kirurgjikale nuk solli përmirësim, por lojtari nuk u dorëzua.

Minoungou ka deklaruar se ndonëse sheh vetëm me një sy, është i gatshëm të japë më shumë se kushdo tjetër.

“Ishte një nga momentet më të vështira të jetës sime. Kam shpresuar vetëm të siguroja një kontratë me ekipin e parë të Seattle. Nuk mund të shpjegoj se çfarë ndodhi. Ajo që di është se syri im, pak nga pak, pushoi se punuari. Unë kam vetëm një sy, por mund të bëj më mirë se dikush që ka dy. Doja të arrija nivelet më të larta, punova shumë dhe ia dola”, tha Minoungou.

Debutimi i tij në Botërorin për Klube erdhi kundër Atletico Madrid, një moment kulmor për një karrierë me sfida të mëdha.

sfidanti.al