Cristiano Ronaldo pranon: Djali im me Yamal, të ngjashëm

Në një përballje që përfaqëson simbolikisht kalimin e stafetës mes brezave, finalja e Ligës së Kombeve midis Portugalisë dhe Spanjës sjell dy figura në qendër të vëmendjes: Cristiano Ronaldo, 40 vjeç, dhe Lamine Yamal, vetëm 17. Njëri është legjendë e padiskutueshme e futbollit botëror, tjetri një talent i ri që po shfaq potencial për të ndërtuar një trashëgimi po aq të lavdishme.

Në konferencën për shtyp para finales që do të luhet në Mynih, Ronaldo u pyet për këtë “duel brezash”. Me qetësi dhe pak humor, kapiteni i Portugalisë u përgjigj:

“Sa herë kam luajtur një finale, ka qenë gjithmonë ‘Cristiano kundër dikujt’. Jam mësuar me këtë. Janë breza të ndryshëm. Lamine dhe Vitinha janë më afër moshës me njëri-tjetrin. Por nëse duan ta bëjnë ‘me Cristianon’, unë jam gati të marr përgjegjësinë, nuk ka problem.” Cristiano nuk kurseu lavdërimet për Yamal, duke treguar edhe një anë më personale kur u pyet për një krahasim mes tij dhe djalit të tij, Cristiano Jr., i cili tashmë përfaqëson Portugalinë në grupmoshën U-15.

“Të dy janë ngjashëm,” – tha me të qeshur Ronaldo. – “Dhe i ndajnë vetëm tri vite. Fëmijët e mi e pëlqejnë shumë Lamine. Edhe unë, edhe familja ime kemi një dashuri të veçantë për Spanjën.”

Në fakt, fjalët e Cristianos konfirmohen edhe nga një fotografi e vitit 2024, ku shihen Cristiano Jr. dhe Lamine Yamal së bashku, një moment i kapur dhe ndarë në rrjete sociale nga babai i talentit të Barcelonës. Fotoja përforcon ngjashmëritë fizike mes tyre dhe lë vend për ëndërrime të mëdha: a do të shohim ndonjëherë përballje të vërtetë mes tyre në fushë?

E ardhmja është e gjatë, por një gjë është e qartë: talentët janë aty dhe krahasimet mes brezave po bëhen gjithnjë e më interesante.

sfidanti.al