Një përqafim i ngrohtë, i mbushur me nostalgji dhe respekt të ndërsjellë, ndodhi në prapaskenat e ndeshjes Shqipëri–Serbi, të luajtur në “Arenën Kombëtare”. Trajneri shqiptar, Mirel Josa, dhe ndihmëstrajneri i Serbisë, Goran Cumic, u takuan pas më shumë se 30 vitesh, në një ribashkim që kapërceu kufijtë e rivaliteteve kombëtare dhe u mbështoll me ndjenja njerëzore.
Mirel Josa dhe Goran Cumic kanë qenë bashkëlojtarë në fillim të viteve ’90 te skuadra greke AO Kavala. Josa, atëherë një mesfushor teknik e kreativ, dhe Cumic, portieri që ruante rrjetën e ekipit, ndanë jo vetëm fushën, por edhe përditshmërinë e futbollit të asaj kohe, kur lufta, politika dhe nacionalizmat ende nuk kishin errësuar gjithçka.
Tani, dekada më vonë, rrugët i kanë sjellë në anë të ndryshme të pankinës, por jo të shpirtit. Gjatë qëndrimit të Serbisë në Tiranë për sfidën kualifikuese të Botërorit 2026, Josa gjeti momentin për të përshëndetur mikun e vjetër. Takimi u përjetësua me disa foto të postuara në rrjete sociale, ku përqafimi dhe buzëqeshja e dy ish-bashkëlojtarëve flisnin më shumë se çdo koment. “Takim pas më shumë se 30 viteve me Goran Cumic,” shkroi Josa me thjeshtësi e ndjeshmëri. Megjithatë, ky gjest njerëzor u komentua edhe me kritika në disa qarqe në Kosovë, duke vënë në pah tensionet e ndjeshme që shpesh mbivendosen mbi sportin.
Por Josa, një emër i respektuar i futbollit shqiptar, duket se zgjodhi të vendosë mbi gjithçka kujtimin e një miqësie të vjetër, të lindur në fushën e gjelbër dhe të ruajtur nga koha. Sepse ndonjëherë, edhe në botën e futbollit të ngarkuar me presione dhe emocione, një përqafim mund të vlejë më shumë se një rezultat.
sfidanti.al