Osimhen, një tjetër “jo” për Arabinë Saudite

Victor Osimhen vazhdon të thotë “jo” për një transferim në Arabinë Saudite. Sulmuesi i Napolit ka refuzuar sërish një tjetër ofertë nga Al Hilal, klubi që prej muajsh po përpiqet ta bindë me propozime gjithnjë e më të majme. Lajmi është bërë i ditur nga gazetari nigerian Buchi Laba, i njohur për afërsinë e tij me sulmuesin që sezonin e fundit e kaloi në huazim te Galatasaray në Turqi.

Sipas raportimeve, Al Hilal kishte bërë një ofertë të re me një pagë mbi 40 milionë euro neto në sezon, një kontratë “faraonike” që megjithatë nuk ka mjaftuar për të bindur ish-sulmuesin e Lille. Osimhen ka refuzuar sërish, duke konfirmuar vendosmërinë e tij për të mos u transferuar në Saudi Pro League, të paktën për momentin, dhe për të vazhduar karrierën e tij në Evropë.

Kjo është oferta e pestë që sulmuesi nigerian e hedh poshtë, pasi edhe më herët kishte refuzuar afrimet e klubit saudit, i cili ka pasur synim ta sjellë në skuadër për Simone Inzaghin në prag të Kupës së Botës për Klube dhe për të goditur fort në tregun ndërkombëtar. Por pavarësisht presionit dhe shifrave marramendëse, Osimhen ka zgjedhur sërish të mbetet në futbollin europian.

sfidanti.al