Elbasani shënjestron Tresën

Pas rikthimit në Kategorinë Superiore dhe një viti të suksesshëm në elitë, Elbasani është duke punuar intensivisht për të ndërtuar një skuadër konkurruese dhe të hapë një kapitull të ri në elitën e futbollit shqiptar. Kjo gjë arrihet duke bërë merkato dhe duke përforcuar ekipin.

Një nga emrat që ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve verdheblu është Ledio Tresa, sulmuesi i ri i Laçit. Por, ai është në kontratë me kurbinasit dhe nuk është e lehtë për ta afruar.

Për këtë arsye, mundësia më e mirë për të shkuar te sulmuesi është formula e huazimit. Megjithatë, për momentin flitet thjesht për një dëshirë dhe nuk dihet nëse do të ndërmerren hapa konkretë për të, duke ditur se radha për lojtarin e Laçit është e madhe. Ledio Tresa shihet si një zgjedhje strategjike për disa arsye kryesore: Tresa është vetëm 20 vjeç, por ka luajtur në Superiore dy sezonet e fundit me Laçin si protagonist. Ai është një futbollist në rritje, pjesë e Kombëtares U-21, me hapësirë të madhe për zhvillim teknik dhe taktik, çka i përputhet filozofisë së Elbasanit për ndërtimin e një skuadre afatgjatë. Pavarësisht moshës, Tresa nuk është një emër i paprovuar. Ai ka qenë titullar ose pjesë aktive e skuadrës së parë të Laçit në ndeshje të rëndësishme, duke treguar qetësi, disiplinë dhe rendiment të qëndrueshëm.

Elbasani kërkon lojtarë të shpejtë, teknikë dhe me aftësi për të krijuar hapësira në sulm. Tresa luan zakonisht si sulmues krahu, por mund të përshtatet edhe në role të tjera sulmuese. Ai ka treguar se di të asistojë dhe të shënojë, duke qenë vendimtar në zona të ngushta. Stili i tij i lojës i lejon trajnerit ta përdorë në skema të ndryshme, ndërsa profili i karakterit i Tresës përshkruhet si serioz, i përkushtuar dhe pa zhurmë, një tipar që vlerësohet shumë në një skuadër që kërkon stabilitet dhe grup të fortë.

sfidanti.al