Situatë e nderë te Real Madridi, Rudiger i izoluar nga shokët

Te Real Madridi nuk ka vetëm zhgënjim për një sezon për t’u harruar, por edhe një atmosferë të tensionuar brenda skuadrës, që po trondit themelet e harmonisë së klubit. Sipas revistës spanjolle ‘Don Balon’, Antonio Rudiger është në qendër të polemikave dhe konsiderohet tashmë si një element problematik në dhomat e zhveshjes së “Los Blancos”. Raportohet se Thibaut Courtois dhe Jude Bellingham janë distancuar nga mbrojtësi gjerman për shkak të sjelljes së tij që po shkakton nervozizëm dhe pakënaqësi në ekip. Rudiger njihet për karakterin e tij impulsiv dhe për batutat shpesh të pavend, të cilat nuk janë mirëpritur nga të gjithë bashkëlojtarët. Situata kulmoi në finalen e Kupës së Mbretit, kur Rudiger, i ulur në stol, hodhi një shishe drejt arbitrit, veprim që i kushtoi kartonin e kuq dhe më pas një pezullim me gjashtë ndeshje, pavarësisht faljes publike që bëri më pas. Reagimi i tij i dhunshëm shkaktoi zemërim në skuadër. Luka Modrić, thuhet se e ka përballur drejtpërdrejt, duke i thënë: “Ke turpëruar simbolin e Real Madridit.” Në stërvitje, Rudiger gjithashtu po shihet si problematik, ndërhyrjet e tij të ashpra ndaj lojtarëve si Mbappé dhe Bellingham po kritikohen si të panevojshme dhe agresive. Tani, e ardhmja e Rudiger në “Santiago Bernabéu” është në dyshim serioz. Ai ka kontratë deri në vitin 2026, por drejtuesit e klubit po diskutojnë mundësinë e shitjes së tij këtë verë, që të shmangin konfliktet dhe të përfitojnë financiarisht nga transferimi. Real Madridi, më shumë se kurrë, duket se po përgatitet për ndryshime të mëdha në prapavijë dhe Rudiger mund të jetë viktima më e madhe e këtij procesi pas një sezoni të trazuar.

 

sfidanti.al